Punëtorët e huaj në rritje, 25 për qind më shumë kërkesa për leje qëndrimi në 2025
Numri i të huajve me leje qëndrimi u rrit me 25.4 për qind në vitin 2025, ndërsa rastet e trajtuara për leje pune dhe qëndrimi arritën në 18,156.

Shqipëria po shndërrohet gradualisht edhe në një vend pritës të emigracionit, ndërsa bizneset vendase po mbështeten gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e huaj për të përballuar mungesën e punonjësve. Në fund të vitit 2025, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi arriti në 27,514 persona, me një rritje prej 25.4% krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave të siguruara nga ekofin.al pranë Ministrisë së Brendshme, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur nga 21,460 persona në vitin 2023, në 21,940 në vitin 2024 dhe në 27,514 në fund të vitit 2025. Vetëm gjatë vitit të fundit, numri i tyre është shtuar me 5,574 persona.
Në fund të vitit 2025, shtetasit e huaj me leje qëndrimi përfaqësonin rreth 1.16% të popullsisë rezidente të Shqipërisë, nga 0.92% në vitin 2024. Këto zhvillime tregojnë një ndryshim gradual në strukturën e migracionit dhe të tregut shqiptar të punës.
Kosova kryeson me mbi 6 mijë shtetas, rritet prania e punonjësve nga Azia
Sipas të dhënave administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, komuniteti më i madh i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri përbëhet nga shtetasit e Kosovës, me 6,076 persona.
Në vendin e dytë renditen shtetasit italianë, me 3,776 persona, të ndjekur nga India me 2,399, Filipinet me 2,213, Egjipti me 2,007 dhe Turqia me 1,862 persona.
Veçanërisht e dukshme është prania e shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët së bashku numërojnë 6,619 persona me leje qëndrimi në Shqipëri.
Rritja e pranisë së shtetasve nga këto vende lidhet edhe me orientimin e bizneseve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare për rekrutimin e punonjësve, në kushtet kur emigracioni i shqiptarëve dhe mungesa e fuqisë punëtore në profesione të caktuara kanë krijuar vështirësi për sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Mbi 18 mijë raste për Leje Unike, rritje me 61.8 për qind në një vit
Një tjetër tregues i rritjes së kërkesës për punonjës të huaj është numri i rasteve të trajtuara për Leje Unike qëndrimi dhe pune.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe institucioneve përgjegjëse, numri i rasteve të trajtuara është rritur nga 9,825 në vitin 2023, në 11,224 në vitin 2024 dhe në 18,156 gjatë vitit 2025.
Krahasuar me vitin 2024, rritja arrin në 61.8%, ndërsa në raport me vitin 2023 numri i rasteve është zgjeruar me 84.8%.
Kjo prirje lidhet me nevojat e bizneseve për punonjës në sektorë ku oferta vendase e fuqisë punëtore është e pamjaftueshme, por edhe me formalizimin dhe përmirësimin e procedurave administrative për punësimin e shtetasve të huaj.
Turizmi, ndërtimi dhe tregtia, sektorët me kërkesën më të lartë
Të dhënat mbi shpërndarjen sektoriale të Lejeve Unike tregojnë se punësimi i shtetasve të huaj është përqendruar kryesisht në aktivitetet ekonomike që kërkojnë numër të lartë punonjësish.
Sektori me numrin më të madh të lejeve të miratuara është ai i aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 3,210 punonjës, ose rreth 18% të totalit.
Në vendin e dytë renditet akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 2,789 leje të miratuara, ose rreth 15%. Ky sektor lidhet drejtpërdrejt me turizmin, ku zgjerimi i kapaciteteve akomoduese dhe i aktivitetit ekonomik ka rritur nevojën për punonjës në hotele, restorante dhe struktura të tjera shërbimi.
Ndërtimi renditet i treti, me 2,635 leje të miratuara, ose rreth 15% të totalit, ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, regjistron 2,068 leje, ose rreth 11%.
Së bashku, këta katër sektorë përfaqësojnë 10,702 leje të miratuara, një numër i barabartë me afërsisht 59% të rasteve të trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025.
Tirana përqendron 43.8 për qind të të huajve me leje qëndrimi
Shpërndarja territoriale e shtetasve të huaj mbetet e përqendruar kryesisht në qarkun e Tiranës, ku jetojnë 43.8% e të gjithë personave me leje qëndrimi.
Kryeqyteti renditet i pari edhe për numrin e rasteve të trajtuara për Leje Unike, me 7,609 raste gjatë vitit 2025, nga 4,207 në vitin 2023.
Pas Tiranës renditet Durrësi, me 3,415 raste të trajtuara në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 78.9% krahasuar me një vit më parë.
Në vendin e tretë është Vlora, me 2,652 raste dhe një rritje prej 121.9%, e lidhur edhe me zgjerimin e aktivitetit turistik dhe kërkesën për punonjës në sektorët përkatës.
Në qarqet e tjera, Fieri regjistron 1,003 raste, Lezha 872, Shkodra 836 dhe Elbasani 804 raste. Ndërkohë, numra më të ulët evidentohen në Gjirokastër me 299 raste, Korçë me 219, Berat me 189, Kukës me 187 dhe Dibër me 71 raste.
Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora me rritjen më të lartë të Lejeve Unike
Megjithëse Tirana dhe Durrësi kryesojnë për nga numri absolut i rasteve, ritmet më të larta të rritjes gjatë vitit 2025 janë regjistruar në disa qarqe të tjera.
Kukësi kryeson me një rritje prej 128% krahasuar me vitin 2024, i ndjekur nga Gjirokastra me 126.5%, Vlora me 121.9%, Lezha me 100.5% dhe Korça me 84%.
Rritje të konsiderueshme kanë regjistruar edhe Elbasani, me 83.6%, dhe Fieri, me 75%.
Të dhënat tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj po shtrihet gradualisht përtej qendrave tradicionale të aktivitetit ekonomik, ndërsa bizneset shqiptare po orientohen gjithnjë e më shumë drejt rekrutimit ndërkombëtar për të plotësuar nevojat për fuqi punëtore.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)